Targetimi i gazetarëve kosovarë me fotomontazhe, reagon AGK: Fushatë e rrezikshme, Policia dhe Njësiti Kibernetik urgjentisht të hetojnë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se disa fotomontazhe po qarkullojnë në rrjete sociale, ku shihet fytyra të disa gazetarëve me mesazhe të sajuara, por me logo të vërteta të disa prej mediave në Kosovë.
“Një sërë foto-montazhesh janë shfaqur sot në mediat sociale, në të cilat shihen fytyra e disa prej gazetarëve kosovarë, përcjellur me mesazhe të sajuara, por, logo të vërteta të disa prej medieve kosovare. Disa prej gazetarëve të atakuar nga këto foto-montazhe janë: Vehbi Kajtazi, Valon Syla, Berat Buzhala, dhe të tjerë. Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme.”
AGK ka thënë se këtë e sheh si fushatë ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediat.
Asociacioni ka ftuar Policinë e Kosovë që ta hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe ta ndalojë publikimin e tyre.
“AGK-ja, e sheh këtë fushatë si ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediet, dhe fton Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetnik, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre.”
