Projekte të reja dhe rivitalizime të rëndësishme në Viti, kryetari Sokol Haliti inspekton projektet kyçe të infrastrukturës në komunë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi punimet në asfaltimin e rrugëve “Hoxhë Jonuzi” dhe “Muhamet Muharremi”. Krahas këtyre punimeve brenda qytetit, janë duke vazhduar edhe punimet në sheshin nga qendra e qytetit deri tek posta. Këto projekte përbëjnë një pjesë të rëndësishme të përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e infrastrukturës urbane të qytetit të Vitisë.

Një tjetër projekt i rëndësishëm që po përfundon në Viti është ai i kalldrëmit përgjatë lumit “Morava e Binçës”. Ky projekt ka për qëllim jo vetëm të përmirësojë estetikën e zonës, por edhe të ofrojë një shëtitje më të sigurt dhe më të rehatshme për qytetarët.

Një nga projektet më të mëdha që po realizohet aktualisht është rivitalizimi dhe zgjerimi i rrugës nga QKMF-ja deri në hyrje të fshatit Drobesh. Ky projekt përfshin asfaltimin, zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke siguruar një qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt për të gjithë banorët dhe vizitorët e zonës. Ky projekt është financuar me mjetet financiare që Komuna e Vitisë ka përfituar në kuadër të grantit të performancës, duke reflektuar përkushtimin e qeverisë lokale për të investuar në zhvillimin dhe mirëqenien e qytetit.

Me përfundimin e këtyre projekteve, Viti do të përjetojë një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës, duke kontribuar kështu në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik të zonës./ Kosova.info

Go to TOP