4 milionë euro për Pishinën gjysmëolimpike në Podujevë

Sot është nënshkruar memorandum mirëkuptimi për financimin e projektit të Pishinës gjysmëolimpike në Podujevë. 

Kryetari i Komunës, z. Shpejtim Bulliqi, ka thënë me këtë rast se sot është bërë edhe hapi i radhës drejt finalizimit të këtij projekti që kap vlerën e 4 milionë eurove. 

“I lumtur që sot e bëmë hapin e madh drejt finalizimit të një projekti tjetër të madh në vlerë prej 4 milionë eurove siç është Pishina gjysmëolimpike.

Pas vendimit për caktimin e lokacionit kohë me parë dhe hartimit të projektit, sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për bashkëfinancimin e këtij projekti aq të nevojshëm për sportdashësit dhe ata që e duan notin”, është shprehur Kryetari Bulliqi. 

Sipas këtij memorandumi të mirëkuptimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të financojë 3.5 milionë euro, kurse Komuna e Podujevës 500 mijë euro. 

Projekti përfshin pishinën kryesore, pishinën për fëmijë dhe hapësirën e gastronomisë. 

Sipas Kryetarit Bulliqi, kjo Pishinë përveçqë do të bëhet adresa ku do të zhvillohen gara ndërkombëtare e vendore në not, ajo do të mund të shfrytëzohet edhe për stërvitjen e sportistëve dhe rekreacion nga qytetarët e Podujevës. 

Projekti është trevjeçar dhe përfshin vitet 2024, 2025 e 2026. /Kosova.info/


Go to TOP