A po ndërhyn Kurti në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut? – Përgjigjet Pendarovski
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar sot se mbështetja e kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet në vendin e tij nuk përbën problem.
Ai këtë koment e bëri pas pyetjeve të gazetarëve, të cilët iu referuan presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili akuzoi kryeministrin e Kosovës për ndërhyrje në zgjedhjet e Maqedonisë.
“Unë kam biseduar edhe me zotëri Kurtin në Prishtinë, se mbështetja e tij për njerëz të Maqedonisë nuk bën problem. Këtu nuk bëhet fjalë për shtetas të huaj që do marrin pjesë në zgjedhjet tona, pasi kjo nuk lejohet. Të gjithë këto njerëz që përmenden në media si njerëz të tij, janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje. Mbështetje politike Kurti mund t’i jep kujt të dojë. Këtë, për shumë vite e bëjnë edhe parti të tjera evropiane të cilat janë si motër me ndonjë parti të brendshme. Këtu nuk shoh ndonjë problem”, tha Pendarovski.
