Dy persona arrestohen për vrasjen e prokurorit të Ekuadorit nga bandat
Dy të dyshuar janë arrestuar në lidhje me vrasjen e prokurorit ekuadorian, Cesar Suarez, i cili dyshohet se ishte në shënjestër të një bande, tha policia të enjten, ndërsa forcat e sigurisë vijuan ndërhyrjet në burgje.
Ekuadori është duke u tronditur nga një valë dhune, me presidentin Daniel Noboa që shpalli 22 banda si grupe “terroriste” dhe një gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore.
Incidentet këtë muaj kanë përfshirë një sulm nga persona të armatosur në stacionin televiziv TC, marrjen peng të më shumë se 200 punonjësve të burgut dhe rrëmbimin e oficerëve të policisë.
Suarez, i cili u përqendrua në ndjekjen e krimit të organizuar trans-kombëtar në provincën Guayas, u sulmua teksa po ngiste në veri të Guayaquil nga persona të armatosur me dy makina, u tha gazetarëve në një konferencë shtypi shefi i policisë së qytetit, gjenerali Victor Herrera.
Suarez ishte përgjegjës për hetimin e sulmit në stacionin televiziv, kur gazetarët dhe të tjerët u mbajtën peng për një kohë të shkurtër, si dhe rastet e lidhura me korrupsionin dhe trafikun e drogës, tha Herrera.
“Hipoteza që ka policia kombëtare është se këta kriminelë i përkisnin grupit terrorist ChoneKiller, motivimi (për krimin) është ende nën hetim”, tha Herrera.
Policia ka mbledhur 18 prova balistike dhe ka kryer bastisje në banesa të ndryshme, duke lokalizuar një nga automjetet. Tjetri u gjet i djegur në një pjesë tjetër të qytetit, tha Herrera.
Suarez nuk kishte pasur mbrojtje të përhershme policore që nga maji 2023 dhe nuk kishte kërkuar mbrojtje për një seancë dëgjimore të mërkurën sepse ishte virtuale, thanë autoritetet.
