Vrasja e trefishtë në Gllogjan, rrëfim tronditës i nxënësve që ishin në autobusin e sulmuar

Blendi Mustafa dhe Ermelinda Osmanaj ishin dëshmitarët e radhës, të cilët dhanë dëshmitë e tyre në gjykimin ndaj Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetajt, për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

Rasti kishte ndodhur në nëntor të vitit 2021, kur një autobus ishte sulmuar me “Kallashnikov” e të vrarë kishin mbetur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Nga kjo ngjarje nxorën rrëfimet e tyre dy nxënësit, duke treguar për përjetimet e tyre e traumat që ua ka lënë ajo natë.

Të dy dëshmitarët kishin qenë në ulëset e para të autobusit, pas kondukterit, dhe kishin arritur ta shohin sulmuesin, veshjet e tij, lëvizjet por jo edhe fytyrën.

Sulmuesi, sipas tyre, kishte dalë në mes të rrugës para autobusit që po qarkullonte në rrugët e Gllogjanit. Ai kishte lëvizur sikur të ishte në gjendje të dehur dhe i tkurrur, me shpinë të kthyer nga autobusi.

Sipas dëshmisë së tyre, shoferi kishte ngadalësuar shpejtësinë dhe sulmuesi ishte afruar dhe kishte drejtuar pozitën e trupit të tij.

Lidhur me reagimet e shoferit tanimë të ndjerë, dëshmitarja Osmanaj tha se ai ishte ngritur nga ulësja e tij dhe i kishte ngritur duart lart, kur kishte parë armën e sulmuesit.

Autobusi kishte pasur 9 pasagjerë në total në momentin kritik, përfshirë edhe shoferin.

Detaje mbi veshmbathjen e sulmuesit dhanë të dy nxënësit, duke thënë se ai kishte pasur xhaketë të zezë, çizme të gjata të plastikës, një rrip të gjelbër në krahun e djathtë dhe kapelë në kokë.

Mustafa dhe Osmanaj ishin intervistuar edhe gjatë hetimeve, kur u ishin prezantuar edhe fotografi të njerëzve për ta identifikuar personin që e kishte shkaktuar këtë tragjedi.

Ata nuk kishin arritur të identifikonin këtë person.

Go to TOP