Gjykata e Lartë vendos sot për vulën dhe logon e PD-së, Berisha në protestë

Gjykata e Lartë në Shqipëri pritet të vendosë sot se kujt i takon vula, logoja dhe drejtimi i Partisë Demokratike. Çështja tashmë është dërguar në Gjykatën e Lartë nga grupimi i Rithemelimit i Sali Berishës.

Kjo kërkesë është dorëzuar për vendimin e 3 marsit, kur Apeli i Përgjithshëm e ktheu për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë çështjen e pronësisë së logos dhe vulës së Partisë Demokratike.

Zgjedhjet e mbajtura në korrik për kreun e PD-së së përçarë në tri pjesë, ishin kundërshtuar nga një tjetër grupim, nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, dhe shtatë deputetë që e mbështesin atë.

Një grup deputetësh e kishte çuar çështjen e zgjedhjeve brenda partisë në gjykatë, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e kryesisë, përfshirë edhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës, që vazhdon të jetë kryetar i PD-së, në regjistrin e partive politike.

Situata e paqartë dhe e paqëndrueshme në PD u krijua pas 21 marsit të vitit 2022, kur Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i PD-së dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj. Më 25 mars të vitit 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e ka njohur si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij.

Ky vendim është apeluar nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike. Gjykata e Apelit pati vendosur që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit. Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, po ashtu dha dorëheqje.

Derisa po pritet vendimi i Gjykatës së shkallës së parë, Sali Berisha, thirri në protestë mbështetësit e tij.

Protesta në Tiranë para selisë së PD-së, 27 dhjetor 2023.
Protesta në Tiranë para selisë së PD-së, 27 dhjetor 2023.

Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se edhe Gjykata e Lartë është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më së shumti foli për hetimet ndaj tij për rastin “Partizani” sesa për përplasjen brenda PD-së për vulën dhe logon e partisë.

“Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre”, tha Berisha.

Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar forca të shumta të policisë përreth ndërtesës së Gjykatës së Lartë.

Policia e angazhuar në Tiranë gjatë protestës së thirrur nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, 27 dhjetor 2023.
Policia e angazhuar në Tiranë gjatë protestës së thirrur nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, 27 dhjetor 2023.

Berisha u ul për disa minuta në trotuarin para Gjykatës së Lartë, dhe më pas marshoi bashkë me mbështetësit e tij drejt selisë së Partisë Demokratike, apo siç njihet selia e Rithemelimit.

Po sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për arrestimin e Berishës për rastin “Partizani”. Në kërkesë specifikohet se kërkohet “arrest shtëpie”, se duhet të ruhet nga policia dhe se i ndalohet komunikimi me këdo tjetër pos personave me të cilët jeton në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.

Para mbështetësve në selinë e partisë që ai drejton, Berisha tha se “askush dhe asgjë nuk më ndan nga ju” . Më pas hyri në selinë e partisë, ku pret vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Kuvendi i Shqipërisë më 21 dhjetor votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion.

Me 75 vota në favor, Kuvendi e miratoi kërkesën për t’ia hequr Berishës imunitetin parlamentar të enjten.

Për çfarë akuzohet Berisha?

Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se kishte abuzuar me pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

Go to TOP