Itali: Vrasja e shtatzënës nga kosovari, prokurori pranon se kërcënimi ndaj saj mund të jetë nënvlerësuar
Një prokuror italian pranoi të mërkurën se autoritetet mund të kenë nënvlerësuar një kërcënim përndjekje ndaj një gruaje shtatzënë 26-vjeçare, kur nuk arritën të merrnin masa kundër ish-dashnorit të saj që tani dyshohet se e vrau me thikë në shtëpinë e saj.
Prokurori Marco Martani u tha gazetarëve se viktima, Vanessa Ballan, kishte bërë një kallëzim më 26 tetor, ku pretendonte se i dyshuari, Bujar Fandaj, u ngjit në një portë dhe tentoi të hynte në shtëpinë që ajo ndante me shoqëruesin e saj dhe djalin 4-vjeçar. Ballan akuzoi Fandajn edhe për sjellje të tjera agresive.
Autoritetet kontrolluan shtëpinë e burrit të nesërmen, pas së cilës “nuk kishte më episode ngacmimesh, afrimi, kërcënimesh”, citohet nga “Corriere della Sera” të ketë thënë Martani. “Rasti u etiketua jo urgjent, gjë që fatkeqësisht ka rezultuar e pabazuar”.
Ai tha se autoriteteve u munguan indikacionet e nevojshme për të ndërmarrë veprime të mëtejshme. “E vetmja masë që mund të ndalonte agresionin do të ishte parandalimi, dispozitë për të cilën nuk kishte elementë të mjaftueshëm”, tha Martani.
Prokurorët thanë se agresori përdori një çekiç për të thyer një dritare për të hyrë të martën në shtëpinë e Ballan pranë Trevisos, në veri të Venecias në rajonin Veneto. Ballani, e cila në atë kohë ishte vetëm, u godit me thikë të paktën shtatë herë. Një thikë që besohet të jetë arma e vrasjes u gjet në kuzhinën e viktimës dhe policia gjeti nga banesa e të dyshuarit një çantë me një çekiç, të paktën një thikë më shumë dhe mjete të tjera të përdorura për thyerje të shtëpisë.
Fandaj, një shtetas i Kosovës me banim në Itali, u arrestua të martën vonë në shtëpinë e tij në një qytet aty pranë.
Dyshja ishin përfshirë në një lidhje që nisi vitin e kaluar dhe të cilën ajo e përfundoi gjatë verës. Kërcënimet filluan menjëherë pas kësaj, dhe ai shpesh paraqitej në supermarketin ku ajo punonte si arkëtare, thanë prokurorët.
Vrasja e Ballanit vjen vetëm një muaj pasi Italia u trondit nga vrasja e 22-vjeçares Giulia Cecchettin, e cila u gjet e vdekur, me fytin e saj të çarë, në një kanal në një zonë të largët të ultësirës alpine, gjithashtu në rajonin Veneto. Ajo ishte zhdukur pasi kishte takuar ish të dashurin e saj për një burger. Ai u arrestua në Gjermani dhe ndodhet në një burg italian në pritje të akuzave.
Cecchettin ishte mes 102 grave të vrarë deri në mes të nëntorit të këtij viti në Itali, më shumë se gjysma nga partnerët aktualë ose ish-partnerët intimë, sipas Ministrisë së Brendshme. Shifrat e përditësuara nuk ishin të disponueshme menjëherë.
