Pronësia Industriale u reformua përmes infrastrukturës së re ligjore
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, thonë se Pronësia Industriale u reformua përmes infrastrukturës së re ligjore.
Sipas ministrisë përgjatë viteve 2021-2023 u hartuan e miratuan 5 ligje dhe 8 udhëzime administrative për rregullimin dhe forcimin e pronësisë industriale, në përputhje të plotë me direktivat e BE-së;
Po ashtu thuhet se këto ligje përfshijnë: Ligjin për Markat Tregtare, Ligjin për Topografitë e Gjysëmpërçuesve, Ligjin për Dizajnet Industriale dhe Ligjin për Patentat.
“Për herë të parë u miratua edhe Ligji për Sekretin Tregtar i cili transpozon direktivën 943/2016 të BE-së për Sekretin Tregtar.
Pikërisht ndryshimi i Ligjit për Markat Tregtare, rriti korrektësinë në treg, konkurrueshmërinë dhe ofertën për produktet e njëjta, ndërkaq largoi edhe monopolin e kontratave ekskluzive në import të produkteve specifike. Përmes këtij ligji, u fuqizua edhe e drejta e pronarit në markë tregtare dhe u përcaktuan kriteret e shkallës së dëmit të shkeljes ndaj markës tregtare nga gjykata”. Thuhet tutje nga ministria.
Tutje thuhet se u përgatitën dhe publikuan 10 manuale për biznese dhe qytetarë për procedurat, rëndësinë e regjistrimit dhe mbrojtjes së objekteve të pronës industriale, si: Marka Tregtare, Patenta, Dizajne Industriale, etj.
Ndërsa u regjistruan dhe u mbrojtën 5076 Patenta, Marka Tregtare, Dizajne Industriale dhe Tregues Gjeografik, ku vetëm këtë vit u regjistruan mbi 2055, që përbën një rritje prej 32.9%.
Kurse u shqyrtuan dhe zgjidhën 500 lëndë të kundërshtimeve të markave tregtare që ishin në pritje të shqyrtohen që nga viti 2013.
“Është regjistruar treguesi i parë gjeografik “Djathi i Sharrit”, me pronar vendor. Pas tij, u regjistruan edhe treguesit gjeografik për verërat “Rahoveci” dhe dy tregues gjeografik me pronar të huaj, nga Italia dhe Franca”. /Kosova.info/
