Çfarë presin sllovakët nga qeveria e re e Robert Ficos?

Robert Fico dhe kabineti i tij u emëruan nga presidentja Zuzana Caputova të mërkurën.

Partia e tij fitoi 42 vende në Parlamentin me 150 ulëse dhe formoi një koalicion me partinë e qendrës së majtë HLAS dhe partitë nacionaliste SNS.

Fico formoi një shumicë parlamentare duke nënshkruar një marrëveshje koalicioni qeveritar me partinë Hlas, ose Zëri, dhe Partinë Kombëtare Sllovake.

Fico u zotua në fushatën e tij zgjedhore për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe kritikoi sanksionet ndaj Rusisë.

Nëpër rrugët e Bratisllavës, një burrë tha se e mbështeste politikën e Ficos.

“Nuk kemi para pas një lufte në Ukrainë dhe pas COVID-19, por ndoshta do të kemi një qeveri më të qëndrueshme dhe ndoshta më pak zemërim, shpresoj kështu”, tha ai.

Një tjetër tha se kishte pak shpresë për të ardhmen e vendit të tij. “Ajo që ne presim ekonomikisht nga vitet e ardhshme nuk është asgjë e mirë, kështu që shpresojmë se nuk do të jetë aq e keqe sa duket për momentin”.

Fico dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2018 mes protestave masive kundër korrupsionit pasi gazetari Jan Kuciak dhe partnerja e tij Martina Kusnirova u vranë.

Këtë herë, Fico bëri një fushatë të madhe me premtimet për t’i dhënë fund ndihmës zyrtare ushtarake sllovake për Ukrainën, për ta bërë politikën e jashtme të pavarur nga partnerët e BE-së dhe Uashingtoni dhe për të ndaluar emigrantët që kërkojnë të arrijnë në Evropën Perëndimore.

Bratisllava i ka ofruar Ukrainës ndihmë të gjerë humanitare dhe ushtarake nën qeveritë e mëparshme, duke përfshirë artileri dhe avionë luftarakë.

Fico është shprehur gjithashtu kundër liberalizmit politik, aktiviteteve të organizatave joqeveritare dhe më shumë të drejta për personat transgjinorë.

Ai ka lavdëruar udhëheqësin fqinj të Hungarisë Viktor Orban si një politikan për mbrojtjen e interesave të vendit të tij dhe mund të bëjë aleanca me të aty ku interesat e tyre përputhen.

Edhe pse ka bërë kritika kundër Brukselit dhe ShBA-së, Fico ka thënë vazhdimisht se nuk ka ndërmend të heqë Sllovakinë nga Bashkimi Evropian apo aleanca ushtarake e NATO-s. 

Go to TOP