Kosova forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Emiratet e Bashkuara
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë qëndrimit të saj me delegacionin kosovar në Emirate të Bashkuara Arabe, është pritur në takim bilateral nga ministri i Shtetit të EBA-s, Ahmed Ali Al Sayegh, me të cilin nënshkruan Protokollin e Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik.
Përmes një njoftimi për media nga kjo ministri, thuhet se ky protokoll, i cili rrjedh në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, duke pasur për qëllim rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e investimeve.
“Përmes këtij protokolli, Republika e Kosovës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, zotohen për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, ku përfshihen: industria prodhuese, bujqësia, inovacioni dhe teknologjia e mençur, infrastruktura, energjia dhe turizmi”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet në njoftim se nënshkrimi i këtij protokolli nga ministrja Hajdari, i hap rrugën Republikës së Kosovës për të tërhequr investitorë të rinj strategjik nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministrja Hajdari theksoi se Kosova mbetet e hapur për investime të qëndrueshme nga ky vend, derisa ftoi ministrin e Shtetit, Ahmed Ali Al Sayegh, për vizitë në Republikën e Kosovës, për të parë nga afër mundësitë e shumta që ofrohen për investimet e huaja. /Kosova.info/
