Përurohet renovimi i shkollës në Drenas, Lladrovci: Jemi të bekuar me miqësinë e ShBA-së
Sot është përuruar renovimi i shkollës “Zenel Hajdini” në Terstenik të Drenasit, me vlerë rreth 500 mijë euro, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nënkoloneli amerikan Conley, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, arsimtarë, prindër e nxënës.
Lladrovci i shprehu mirënjohje ambasadorit Hovenier dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se “Ju keni bërë një vepër të madhe humane për komunën tonë dhe këtë ne nuk e harrojmë. Ashtu sikur nuk i harrojmë miqtë e ditëve të rënda kur popullit të Kosovës i kanosej zhdukja”.
