Ambasadori austriak rikonfirmon mbështetjen për integrimet euroatlantike

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim njoftues ambasadorin e ri të Republikës së Austrisë në Kosovë, Georg Schbetzer.

Me këtë rast, kryetari Konjufca përgëzoi ambasadorin Schbetzer për detyrën e re dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit austriak ndaj shtetit të Kosovës.

“Austria mike mbetet partner tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës”, theksoi kryetari i Kuvendit, teksa nënvizoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta, veçmas në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare, njofton Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa ambasadori Schbetzer e falënderoi kryeparlamentarin Konjufca për pritjen dhe njëherësh rikonfirmoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit austriak për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në vend dhe rajon. /Kosova.info/

Go to TOP