Klop kandidaturë për të marrë Gjermaninë, Liverpul i gjen pasuesin
Liverpuli ka nisur të dyshojë se trajneri Jurgen Klop është në bisedime me federatën gjermane për të zëvendësuar Hansi Flik të shkarkuar pak ditë më parë. në fakt, gjermanët duan fort që trajneri i përfaqësueses së tyre të jetë një gjerman ndaj kanë lakuar emrin e Klopit. Ndërkohë, mediet britanike raportojnë se trajneri që duket se ka profilin ideal për të marrë drejtimin e “The Reds” është kreu i stolit të Bajer Leverkusen, Ksabi Alonso. Trajneri spanjoll ka përfshirë një opsion në kontratën e tij me klubin e Bundesligës, i cili i lejon atij të ndërpresë marrëveshjen në çdo moment në rast të një telefonate nga “Anfield”. Me kontratë me Liverpul që zgjat deri në vitin 2026, Klop mbetet zgjedhja e parë e drejtuesve gjermanë, por për momentin rikthimi i tij në Gjermani duket shumë i pamundur, jo vetëm për arsye rreptësisht ekonomike. Vetë trajneri gjerman nuk duket i gatshëm të pranojë drejtimin e kombëtares së tij, duke u larguar nga Liverpul gjatë sezonit aktual, skuadër të cilën e drejton që nga viti 2015 dhe me të cilin sapo është kthyer nga një sezon i pasuksesshëm, që e la jashtë zonës së Champions League. Ndërkohë, drejtori sportiv i kombëtares gjermane, Rudi Fëler, theksoi se zgjedhja e trajnerit të ri do të vijë brenda tri javësh. “Tekniku vendës do të ishte i përkryer, marrë në konsideratë që do të luajmë Europianin përballë publikut tonë. Detyra kryesore jona është gjetja e trajnerit sa më shpejt. E shumta në harkun e tri javëve do të jetë e përfunduar si çështje. Ndryshimi i frymës mbetet jetik, sigurisht që kemi diskutuar disa emra”, theksoi Fëler. Më tej ai analizoi largimin e Fikut, ku tha se i kishte dhënë shumë mbështetje por rezultatet e fundit e bënin të domosdoshme ndryshimin në pankinën e Gjermanisë. “Të gjithë e dimë se detyra ime kryesore sapo mora postin e drejtorit sportiv përkon me mbështetjen e Flikut dhe kështu bëra, madje deri në orët e fundit para shkarkimit. Dështimi në Kupën e Botës mendoja se do të na shërbente si mësim i mirë në vazhdimësi, por rezultatet sërish munguan. Dukej sikur asgjë nuk funksiononte. Gjithsesi, respekti për Hansin nuk mbetet pas. Ai është një ‘top’ trajner tashmë, i uroj suksese në detyrat e tjera profesionale”, nënvizoi më tej Fëler. Madje, ish-sulmuesi i Gjermanisë 30 e kusur vite më parë, fitues i Botërorit Italia 1990, foli për ekipin më të mirë në Europë. “Francezët janë kombëtarja më e mirë në Europë për momentin, nuk kam asnjë diskutim. Shpejtësia e anësorëve në ekipin e Deshampit është e pabesueshme, pra do të jenë rrezik konstant”, përfundoi Fëler.
