MSh për rastin në Malishevë: Autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar
Ministria e Shëndetësisë njofton se përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare që humbi jetën në Malishevë gjatë trajtimit në një ordinancë private.
Nga ky institucion thonë se kjo gjë është e patolerueshme dhe se do të angazhohen që të ofrojnë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryesve të kësaj vepre të rëndë.
Njëkohësisht, MSh njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.
“Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
