Muja: Dosja e prokurorisë ka gabime elementare

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka reaguar për arrestimet për rezervat shtetërore dhe dosjen e prokurorisë.

Ai përmes një postimi në ‘Facebook”, ka thënë se MINT në fund të vitit 2021 kishte hapur dy tenderë për blerje të grurit dhe kishin dështuar pasi s’kishte pasur oferta.

‘Dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare”, tha ai.

Muja ka thënë se nuk janë të vërteta pretendimet se është shkelur procedura e prokurorimit, e as se është kufizuar konkurrenca.

“Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë ( 25,383 mijë euro). Çmimi i negociuar i grurit dhe vajit – është brenda margjinēs së çmimeve në berzë gjatë mars 2022 (460-500 për ton). Çmimi i negociuar në kontratën e MINT ka qenë 484 euro për ton. Në rast se në çmim është përfshirë edhe transporti, mund të jetë kontratë shumë e favorshme për atë kohë. Çmimi i vajit të negociuar ishte afërsisht 1.1 euro – më lirë se çmimi në tregun e Kosovës në atë kohë. Për rikujtim çmimi i vajit në Kosovë ato ditë kishte shkuar në 3.49 euro për litër”, ka shkruar Muja në Facebook. /Kosova.info/

Go to TOP