Plas sherri mes dy personave në Kaçanik: 45-vjeçari dërgohet pa vetëdije në spital, i dyshuari arratiset

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Ismail Raka’ në Kaçanik, ku një person dyshohet se është sulmuar me mjete të forta.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 45-vjeçari është dërguar atje pa vetëdije dhe me lëndime të rënda në kokë. Për shkak të gjendjes së tij, ai është transferuar me urgjencë për në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

I dyshuari është identifikuar, mirëpo i njëjti menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim trupor’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të kapet i dyshuari.

Go to TOP