Dalin në shitje biletat e meçit në “Fadil Vokrri” mes Robin Krasniqit dhe Nadjib Mohammedit
Edhe zyrtarisht kanë dalë në shitje biletat e meçit mes Robin Krasniqit dhe boksierit francez, Nadjib Mohammedi.
Përmes një ceremonie, nën patronatin e Komunës së Deçanit dhe kryetarit Bashkim Ramosaj, është mbajtur aktiviteti, i cili e ka shënuar edhe zyrtarisht hapjen e procesit të shitjes së biletave për ngjarjen e madha të 5 gushtit, ku në spektaklin e boksit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, protagonist kryesor do të jetë Robin Krasniqi.
Paraqitja e yjeve të shumta të skenës sonë muzikore e ka pasuruar këtë ngjarje, derisa qershia mbi tortë ishte mesazhi që Robin Krasniqi e kishte dërguar përmes një video inçizimi, e ku shprehte mirënjohjen e tij për mbështetjen e madhe që ka marrë.
Biletat në të gjitha sektorët e stadiumit do të kenë çmimin e 20 eurove.
Mbrëmja e madhe e boksit që mbahet më 5 gusht, pritet ta shfaqë për herë të parë në një sfidë të organizuar në Kosovë, kampionin Robin Krasniqi, përballë së cilit do të jetë francezi Nadjib Mohammedi.
