UEFA dënon Murinjon dhe Romën për ofendime në finalen e Europa League
Hoze Murinjo u bë protagonist kryesor në finalen e Ligës së Europës të luajtur më 2 qershor në stadiumin “Ferenc Pushkash” në Budapest të Hungarisë. Në finalen kundër Seviljes Roma humbi pas 120 minutash lojë, duke mos ia dalë ta çojë në Itali trofeun e këtij kompeticioni.
Por gjatë ndeshjes arbitri i takimit gaboi jo pak, aq sa tensionoi edhe trajnerin portugez të Romës, Hoze Murinjon, i cili pas ndeshjes kaloi në sharje masive ndaj trupës së gjyqtarëve dhe të vetë UEFA-s. Padyshim që hapja e procesit disiplinor ishte e pritshme, madhe me vendimet e dhëna dje duket sikur Murinjo dhe Roma kanë shpëtuar paq, me pak gjëra, pasi mund të penalizoheshin për një kohë më të gjatë dhe me gjoba më të rënda financiare.
Janë vetë mediat e huaja sportive që shkruajnë se UEFA ka reaguar me dorë të hekurt ndaj Hoze Murinjos dhe Romës për atë që ndodhi pas finales së Europa League-s, kundër Seviljes, në Budapest. Trajneri portugez u skualifikua për 4 ndeshje për shkak të “gjuhës ofenduese” ndaj arbitrit anglez, Tejlor. Klubi verdhekuq është gjobitur me 55 mijë euro dhe do të duhet të dëmshpërblejë edhe Federatën Hungareze të Futbollit për dëmin e shkaktuar nga tifozët.
Më tej, në ndeshjen e radhës evropiane si mysafirë, Roma do të luajë pa tifozë. 2 qershorin e kaluar, UEFA hapi menjëherë procedimin disiplinor kundër Murinjos, “për fyerje dhe gjuhë ofenduese ndaj një zyrtari të ndeshjes” në parkingun e stadiumit të Budapestit. Edhe klubi verdhekuq kishte përfunduar në “lupën” e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA për “sjellje jo korrekte nga ekipi” (5 mijë euro gjobë) dhe për “hedhje sendesh, ndezje fishekzjarrësh” nga tifozët (50.000 euro gjobë dhe një ndeshje pa tifozë).
Së fundmi, Roma do të duhet të kontaktojë edhe Federatën Hungareze brenda 30 ditëve për të gjetur një marrëveshje në lidhje me dëmet e shkaktuara nga mbështetësit e skuadrës italiane. Arbitri Tejlor shkaktoi irritim te Roma, veçanërisht për një penallti që nuk u akordua për një goditje të topit me dorë nga Fernando dhe një shuplakë e fuqishme nga Lamela ndaj Ibanez, e ndëshkuar vetëm me një karton të verdhë.
Murinjo përdori fjalë të ashpra ndaj arbitrit, i cili po hipte në minibusin e rezervuar për gjyqtarët, edhe pse u përpoq të përmbahej për të shmangur sanksionet e rënda nga UEFA. Duhet thënë se në sezonin që lamë pas trofeun e Europa League e fitoi Sevilja, kurse atë të Konferencë League e fitoi Uest Hemi. Nga ana tjetër, trofeun e Champions League e meritoi plotësisht Mançester Siti i trajnerit Pep Guardiola.
