Kamionët me mallra serbe as sot nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

Asnjë kamion me mallra me origjinë nga Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes se kamionëve me produkte dhe targa serbe në Kosovë dy ditë më parë.

“Nuk kemi pasur asnjë hyrje, është duke u zbatuar masa e sigurisë për ndalimin e hyrjes”, tha zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci.

Qeveria e Kosovës, më 14 qershor, ka marrë vendim për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.

Ky vendim është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Më 15 qershor, dhjetëra kamionë me targa të Serbisë dhe me të Kosovës, u panë të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, pasi nuk u lanë të futen në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se institucionet e sigurisë e kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, në përgjigje të situatës së krijuar pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Go to TOP