Erdogan shpall “non grata” Edi Ramën në Turqi, kryeministri i Shqipërisë nuk u pranua në ceremoninë e betimit të presidentit turk, u ftua Vjosa Osmani, “Sulltani” nuk ia fal pabesitë për gylenistët

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka “shpallur non grata” kryeministrin Edi Rama në Turqi. Lideri turk nuk e ka pranuar kreun e qeverisë shqiptare pak ditë më parë në ceremoninë e betimit të tij si president që u zhvillua në parlament në Ankara ku morën pjesë zyrtarë të nivelit të lartë nga 78 shtete. Mes këtyre vendeve ishte dhe Kosova. Erdogan ftoi presidenten Vjosa Osmani, por Ramën e la jashtë liste. Lideri turk tregoi më qartë se asnjëherë më parë se ka një krisje shumë të fortë të raporteve mes Tiranës dhe Ankarasë. Në vitin 2018, Erdogan e ftoi në ceremoninë e tij të betimit pasi fitoi zgjedhjet. Në atë periudhë kryeministri shqiptar ishte i preferuari i Sulltanit. Lideri turk ka pasur influencë të madhe në vendin tonë, por kohët e fundit situata ka marrë kthesën e madhe. Çështja e gylenistëve ka qenë një mollë sherri, pasi Erdogan nuk është kënaqur me veprimet e Ramës. Vetëm një pjesë shumë e vogël e ultimatumit të Erdogan është zbatuar nga Rama, ndërsa janë me qindra të tjerë gylenistë në vendin tonë që qeveria nuk i ka lejuar të largohen. 

Sulltani” nuk ia fal pabesitë për gylenistët

Ky ndryshim kursi nga Erdogan ndaj Edi Ramës të befason, pasi vitet e fundit kryeministri ka dëshmuar se ka marrëdhënie të mira me presidentin turk, ndërkohë që ky i fundit i ka qëndruar pranë Shqipërisë në ditët të vështira sikundër ishte tërmeti në vitin 2019 dhe pandemia e Covid-19, ku Erdogan financoi për të ndërtuar banesa dhe spitale për vendin tonë. Por përtej bujarisë dhe mbështetjes, presidenti Erdogan në këmbim i kërkoi kryeministrit Rama që të ndërmarrë hapa konkrete për të luftuar gylenistët. Sipas tij, ky ishte një “parakusht” për miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve, porosi të cilën ia la Ramës gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë më 17 janar të vitit 2022. Rama disa ditë pas vizitës së Erdogan në janar në Shqipëri, e paralajmëroi se nuk do të godasë “gylenistët” që strehohen në Shqipëri. Kryeministri gjatë një prononcimi për mediat nga selia e PS tha se “nuk i kemi asnjë borxh”, Erdoganit dhe vetë Turqisë.“Nuk i kemi asnjë borxh, presidentit të Turqisë dhe Turqisë, sikundër as presidenti i Turqisë dhe Republika e Turqisë nuk na kanë asnjë borxh sepse mes miqsh dhe mes një miqësie vëllazërore nuk ka asnjë borxh”, deklaroi kryeministri Edi Rama. 

Dështon misioni i pajtimit të Edi Ramës me Erdogan

Pasi Rama nuk i çoi kokat e gylenistëve, Erdogan nisi “hakmarrjen” ndaj Shqipërisë. Sinjali i parë i qartë është “Xhamia e Madhe e Namazgjasë”. Lideri turk  vjet paralajmëroi se do të ishte i pranishëm në inaugurimin e saj në fund të Ramazanit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Presidenti turk nuk erdhi dhe xhamia vazhdon të mbetet peng nga Erdogan. Besimtarët u falën sërish në shesh Bajramin që kaloi. Sinjali i dytë ishte kur kryeministri Rama njoftoi një vizitë në Turqi dhe Azerbajxhan vitin e kaluar. Por ndërsa vizita e shefit të qeverisë shqiptare në Azerbajxhan u pasurua gjerësisht në media dhe rrjetet sociale, nuk ndodhi e njëjta gjë me vizitën e Ramës në Turqi. Ky terr informativ, shtoi dyshimet se presidenti Erdogan i mbylli derën dhe nuk e priti në Stamboll. Sinjali i tretë është spitali i Fierit. Nga raportimet në media dhe denoncimet nga qytetarë, bëhet me dije se mjekët turq kanë braktisur Spitalin e Fierit pas një urdhri të Erdogan. Sinjali tjetër është bojkotimi total që i bëri Erdogan Shqipërisë në dy vizitat e fundit zyrtare në Ballkan. Vendi ynë është anashkaluar nga Ankaraja duke na hequr nga axhenda. Pasi Erdogan e nisi “me dorë të hekurt”ndaj kryeministrit Rama dhe deri më tani nuk është ndalur, kreu i qeverisë shqiptare është përpjekur me “mish dhe me shpirt” të pajtohet me liderin turk gjithë këtë periudhë, por përjashtimi nga lista në Turqi tregon se misioni i tij ka dështuar.

Qokat e Ramës ndaj Erdogan

Qoka e fundit e Ramës ndaj presidentit të Turqisë, ishin dronët “Bayraktar TB2”. Kryeministri i bleu dronë me vlerë 8 milionë euro, kompanisë së dhëndrit të “sulltanit turk”. Kjo lëvizje e Ramës është në një farë mënyrë një “pazar” që kryeministri donte të përdorte për të rregulluar raportet me Erdoganin. Rama përdori paratë e shqiptarëve për të rregulluar marrëdhëniet me presidentin e sapo zgjedhur të Turqisë. Nga ana tjetër, muajt e fundit, Rama vendosi mbylljen e kolegjit turk “Mehmet Akif”, një institucion arsimor jopublik parauniversitar dhe kopshtit për fëmijë “Zubeyde Hanim”, pjesë e rrjetit “Turgut Ozal Education”, të shënjestruar nga qeveria turke dhe presidenti turk Erdogan si “terroristë”, pasi lidhen me lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen. Gjithashtu Rama ekstradoi drejt Turqisë, të shumëkërkuarin ndërkombëtarisht, për mashtrim të 391 000 qytetarëve, nëpërmjet kriptomonedhave, mashtrim me dëm ekonomik 2 miliardë dollarë, Faruk Ozer. Ky shtetas u kap më datë 30 gusht 2022, në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania, DVP Vlorë dhe Interpol Tiranën.  Nga ana tjetër, në çdo dalje për media, Rama ka sulmuar Perëndimin gjithmonë kur flet për hendekun që ekziston mes vendeve anëtare të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Rama përmend mënyrën e shpërndarjes së vaksinave, të cilën e cilësoi si të tmerrshme dhe ngre në qiell vlerat e Erdoganit si shpëtimtar të Shqipërisë. Por edhe pse me lajkat dhe qokat e kryeministrit, lideri turk është shumë i qartë dhe i prerë me Edi Ramën. “Sulltani” nuk ia fal pabesitë për gylenistët. “Non gratën” do t’ia heqë vetëm kur kreu i qeverisë shqiptare do të plotësojë çdo kusht që ka vendosur Erdogan.

Go to TOP