Krasniqi: Zgjedhjet do të rezultojnë me institucione jofunksionale

Albert Krasniqi, nga Organizata Demokraci Plus, me seli në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat veriore të Kosovës, nuk e bën të pamundur ligjërisht themelimin e institucioneve, por, sipas tij, ato nuk do të jenë legjitime.

Ky proces, thotë Krasniqi, do të rezultojë me institucione jofunksionale.

Ai, po ashtu, thotë se përmes bojkotit të zgjedhjeve, po përçohet mesazhi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, te komuniteti ndërkombëtar, se ai e ka kontrollin efektiv në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Me mbështetjen e tij, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk po merr pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e gjithë procesit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 ka qenë si vijon:

  • Leposaviq: 28 votues, apo 0.21%
  • Zubin Potok: 65 votues, apo 1%
  • Zveçan: 29 votues, apo 0.41%
  • Mitrovicë e Veriut: 191 votues, apo 1.05%

Të drejtë vote, sipas KQZ-së, kanë 45.095 qytetarë.

Go to TOP