Drejtorit të arrestuar të KEK-ut i përkeqësohet gjendja shëndetësore, i refuzohet dërgimi në QKUK

Avokati i Krasniqit, Taulant Ferizi tha se është refuzuar kërkesa e mbrojtjes për dërgimin e klientit të tij për trajtim shëndetësor në QKUK.

“Z. Nagip Krasniqi aktualisht është në mbajtje pavarësisht se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar sërish. Kërkesa e mbrojtjes për dërgim në QKUK është refuzuar me arsyetimin se i njëjti ka qëndruar sot njëherë gjatë ditës në QKUK për trajtim. Ne do të shfrytëzojmë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi siç e parasheh ligji”, ka deklaruar.

Ferizi tha se nuk është thyer dera e banesës se klientit të tij, dhe se e njëjta është çelur bashkë me Policinë gjatë procedurave hetimore.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se më 19 prill është arrestuar Nagip Krasniqi, nën dyshimet për tri vepra penale.

I arrestuari dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi.

Prokuroria Speciale tha se gjatë aksionit të zhvilluar të mërkurën është bastisur zyra e të dyshuarit në Prishtinë, dy banesa në kryeqytetin e Kosovës që ishin në pronësi të tij, me qëllim që të gjenden dëshmi “që kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”.

Go to TOP