Amerika shton presionin për themelimin e Asociacionit: S’do të dorëzohemi deri sa të ndodhë
Ditën e djeshme, Departamenti i Shtetit tha se SHBA po pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin gjithçka që është rënë dakord në negociatat e mëparshme, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës saktësisht një muaj më parë në Maqedoninë e Veriut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, arritën një marrëveshje verbale për aneksin për zbatimin e planit evropian të pranuar më parë për normalizimin e Serbi-Kosovës, por një nga pikat kryesore është fillimi i formimit të Asociacionit.
“Fokusi ynë është në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të zhvillojnë marrëdhënie më paqësore, të parashikueshme si fqinjë, të cilat do të mundësojnë stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon. BE-ja pret që të dyja palët të përmbushin zotimet dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme nga dialogu, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjë që u konfirmua nga të dy liderët në takimin e 18 marsit në Ohër”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASH-it, duke shtuar se SHBA-ja mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e aneksit.
Në anën tjetër, edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha dje se është koha e fundit që të zbatohet kjo pikë e marrëveshjes.
Hill u shpreh se ShBA nuk do të dorëzohet deri formimi i Asociacionit të ndodhë.
“Këtë javë bëhen 10 vjet nga Marrëveshja e Brukselit dhe është koha që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ajo që mund t’ju siguroj është se ne nuk do të dorëzohemi, derisa të arrihet”, tha Hill para gazetarëve në Serbi.
E si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, Vuçiq tha se duhet të jetë formimi i Asociacionit që një gjë e tillë të ndodhë.
Në takimin me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë, presidenti serb tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 16 prillit tha se marrëveshja e arritur në Ohër tani duhet të gjejë zbatim të menjëhershëm.
I pari i Qeverisë ka shkruar se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të ketë vonesa e as zbatim të pjesshëm, duke ju referuar kështu deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq i cili tha se disa pika do t’i zbatojnë dhe disa të tjera jo.
Të martën, dje, është formuar Komiteti i Përbashkët Monitorues, i cili do ta monitorojë procesin e zbatimit të Aneksit të marrëveshjes së arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky komitet do të kryesohet nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa derisa Kosova ka zgjedhur ambasadorin e saj në Bruksel, Agron Bajrami, që ta përfaqësojë palën kosovare, Serbia ka zgjedhur kryenegociatorin Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, që ta përfaqësojë palën serbe.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka njoftuar se tashmë takimi i radhës mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të jetë më 2 maj në Bruksel.
