Komuna e Prizrenit hapi konkurs për stomatologë, rezultatet nuk i publikoi as pas 10 muajsh
Po bëhet gati një vit që kur dhjetëra stomatologë nga Prizreni tentuan të merrnin një vend pune në komunën e tyre.
Më 17 qershor të 2022-shit, rreth 30 doktorë të stomatologjisë iu nënshtruan testit për stomatologë në konkursin e hapur nga Komuna e Prizrenit.
Por edhe dhjetë muaj pasi që u testuan, rezultatet e këtij testi nuk u publikuan kurrë dhe tre stomatologët, për të cilët u hap konkursi, nuk u punësuan.
Fejzë Kabashi është njëri nga stomatologët, i cili aplikoi në këtë konkurs dhe iu nënshtrua testit me shkrim dhe që nga mesi i qershorit të 2022-shit është në pritje të një njoftimi nga Komuna e Prizrenit, për cilido qoftë rezultati i këtij aplikimi.
I indinjuar me këtë heshtje, Kabashi bën të ditur se ka ardhur koha të reagojë dhe nëse edhe pas mediatizimit të kësaj çështjeje komuna vazhdon të heshtë, ai do të ushtrojë padi.
Fatin e njëjtë me Fejzë Kabashin e pati edhe Blerta Shantiri, e cila përveç faktit që mbeti pezull i këtij konkursi, ajo humbi edhe vendin e saj të punës, pasi kur Blerta vendosi të aplikojë për këtë pozitë, e mbylli klinikën e saj në Prishtinë.
