Rama ‘kërcënon’ Muratin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar sot se është thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po e bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Sipas tij, është hera e parë që një qeveri “tenton në mënyrë kundër-kushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave”.

Rama tregoi se i ka kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë.

“Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, shkroi ai në Facebook.

“Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale”, shtoi Rama.

Ai tha se nëse këto mjete nuk barten menjëherë, “do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit”.

“Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, përfundoi Rama.

Go to TOP