Kurtulaj: Cilësia në arsim ka rënë për shkak të shkeljes së udhëzimit administrativ 22/2013

Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë Albert Kurtulaj  thotë se cilësia në arsimin fillor në disa shkolla po bie për shkak të shkeljes së udhëzimit administrativ 22/2013 të cilat përcaktojnë numrin e nxënësve në një klasë.   

Ai në një denoncim publik në  profilin e tij në facebook thekson se përderisa në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës është mjaftë sfiduese rënia e numrit të nxënësve në shkolla, komuna e Fushë Kosovës ka rritje të konsiderueshëm të numrit të nxënësve. Përderisa Komunat si ajo e Kamenicës ka rënie të numrit të nxënësve për 44%, ajo e Junikut për 42%, Viti e Dragash për 39%, Gjilan e Deçan për 36%, është  pothuaj se e vetmja komuna e Fushë Kosovës që ka rritje të numrit të nxënësve për 17%. Në këtë drejtim ai rikujton se sipas Udhëzimit administrativ, në institucionet edukativo-arsimore, respektivisht në shkollat fillore në një klasë-paralele për nivelin e parë 1-5 duhet të jenë 30 nxënës, maksimumi i lejuar është 35 dhe në paralele për nivelin e dytë 6-9 duhet të jenë 32 nxënës, maksimumi i lejuar 35.

“Në shkollat fillore në qytetin e Fushë Kosovës klasat janë të mbingarkuara më numër të nxënësve, pothuaj se secila klasë ka mbi 40 nxënës e numri shkon deri në 47 nxënës për klasë. Në këtë situatë shqetësuese, për nivelin dhe cilësinë e arsimit në këto shkolla me numër tepër të madh të nxënësve në klasa, në kundërshtim të plotë me kriteret e Udhëzimit Administrativ 22/2013, Qeveria dhe Institucionet përgjegjëse do duhej të ndërmerrni masa dhe veprime të menjëhershme”, tha ai.

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave sipas tij do duhej qe për vitin 2022 Komunën e Fushë Kosovës dhe Arsimin në këtë komunë ta vendosin në TOP-Prioritet. Duke ju referuar një raporti të besueshëm të GAP-it, vërejta se në një komunë ku rënia e numrit të nxënësve është për 42%, rritja e numrit të mësimdhënësve është për 22%. E kundërta ndodhë me komunën e Fushë Kosovës ku ka rënie të personelit arsimor, përderisa rritje të madhe të numrit të nxënësve.

Ai thotë se Komuna e Fushë Kosovës ka nevojë për regrutim shtesë të stafit mësimdhënës, ku do duhej patjetër të merreshin në konsideratë edhe shërbimet përcjellëse në shkollë si pedagog, psikolog e staf mbështetës për fëmijët me nevoja të veçanta. Komuna e Fushë Kosovës duhet të bëjë të pamundurën që ta kthej vëmendjen e Qeverisë, kundrejt këtij problem shqetësues.

“Bashkëpunimi i ngushtë në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është imediat, i domosdoshëm dhe kërkohet reagim i menjëhershëm. Në të kundërtën edhe përkundër vullnetit e punës së jashtëzakonshme të mësimdhënësve dhe drejtuesve të këtyre shkollave cilësia e dëshiruar nuk do mund të arrihet. Pushtetet, përgjegjësitë dhe kompetencat e nivelit qendrorë dhe nivelit lokal sa i përket organizimit të arsimit parauniversitarë janë të ndara, por qëllimi për një arsim më të mirë e cilësi është e përbashkët”, nënvizon ai. 

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, shkollë kjo me numrin më të madh të nxënësve në klasa, në Republikën e Kosovës, ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm, serioz e pa improvizime si domosdoshmëri për kalimin e kësaj situate. /Kosova.info/

Go to TOP