Vodhi 406 trungje të bungut dhe qarrit, i dyshuari dënohet me 100 euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka shpallë aktgjykim denues ndaj të akuzuarit F.H, për vjedhjen e 406 trungjeve të llojeve “Bung” dhe “Qarr”, duke e dënuar me 100 euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Minir Hoti, i akuzuari dënimin me gjobë obligohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishëmrisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, akuzuari u deklarua fajtor për veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“E pranoj fajësinë, është e vërtetë, jetoj në kushte shumë të rënda sociale, nuk kam pas mundësi me i ble drutë, ato dru i kam pas për nevoja familjare, lus gjykatën të më liroj nga kjo akuzë”, tha mes tjerash i akuzuari.

Këtë pranim fajësie nuk e kundërshtoi prokurori Besart Mustafa dhe më pas e aprovoi edhe gjykatësi Minir Hoti.

I akuzuari F.H është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve të procedurës penale dhe atë 20 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro në kompensimin e viktimave të krimit.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 3 nëntorit 2021, F.H akuzohej se më 22 gusht 2021, me qëllim të vjedhjes, në pyllin me të cilin qeverisë Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), në vendin e quajtur “Gurishta”, në njësinë menaxhuese pyjore Shajkoc – Komuna Podujevë, ka prerë 406 trungje të llojeve “Bung” dhe “Qarr”, të gjata 6 metra, me diametër 8-11cm, si dhe me vëllim prej 3.40 metër kub.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarës Agjencisë Pyjore të Kosovës, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 435 euro.

Me këtë, Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli”, nga neni 349 par.1 i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Go to TOP