SHBA fton Tajvanin në “Samitin e Demokracisë” – zemërohet Kina
Kina thuhet se është e zemëruar me vendimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden për të ftuar Tajvanin në “Samitin për Demokraci”, ku zyrtarët kinezë kanë kritikuar SHBA-në se po avancojnë “objektivat e saj gjeopolitike”.
Samiti, pjesë e zotimit të Bidenit për të ndihmuar në rivendosjen e demokracisë në mbarë botën, do të zgjasë nga 9 deri më 10 dhjetor.
SHBA-ja ftoi 110 vende në samitin virtual, ku liderët botërorë do të diskutojnë “rreth angazhimeve individuale dhe kolektive, reformat dhe iniciativat për të mbrojtur demokracinë si dhe të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë vendit”, raporton reuters.
Ministria e Jashtme e Tajvanit përmes një deklarate për mediat njoftoi se “ftesa për të marrë pjesë në “Samitin për Demokraci” është një afirmim i përpjekjeve të Tajvanit për të promovuar vlerat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut ndër vite.
Por Kina u tha gazetarëve në Pekin se ishte “në mënyrë të vendosur kundër” ftesës sepse Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez”.
SHBA dhe vendet e tjera demokratike janë të shqetësuara se Tajvani, një ishull i vetëqeverisur pranë Kinës, do të vihet nën sundimin e Republikës Popullore të Kinës, e cila ka përforcuar praninë e saj ushtarake dhe mendohet se është afër pushtimit të vendit.
Në samitin e demokracisë u ftuan edhe disa vende të Ballkanit duke përfshirë edhe Kosovën.