Sekretari i OKB-së bën thirrje për zhbllokim të fondeve për afganët: Janë buzë vdekjes

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të enjten se miliona afganë janë buzë vdekjes, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dhurojnë 5 miliardë dollarë për ndihma humanitare, t’i zhbllokojnë asetet e ngrita të Afganistanit dhe ta riaktivizojnë sistemin e tij bankar për ta shmangur kolapsin ekonomik dhe social.

Guterres u tha gazetarëve se “temperaturat e ulëta dhe asetet e ngrira janë kombinim fatal për popullin e Afganistanit” dhe se “rregullat dhe kushtet për parandalimin e përdorimit të parave për shpëtim të jetës dhe ekonomisë duhet të pezullohen në këtë situatë urgjente”, shkruan France24.

Kombet e Bashkuara thonë se 8.7 milionë afganë janë buzë vdekjes nga uria dhe Guterres tha se është jetike që në ekonominë afgane të futet shpejt likuiditeti. “Është absolutisht jetike që të shmanget kolapsi, sepse me gjendjen e tanishme, ka afganë buzë vdekjes”, tha sekretari i OKB-së.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë rol shumë të rëndësishëm në këtë situatë, sepse shumica e sistemit financiar operon në dollarë dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngrirë 7 miliardë dollarë të rezervave të jashtme të Afganistanit, një pjesë e konsiderueshme e të cilave mbahen në ShBA.

Go to TOP