Qeveria e Kosovës paralajmëron masa të reja, thotë se varianti i ri po shkakton sëmundje dhe vdekje

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas rritjes së ndjeshme të rasteve pozitive me COVID-19 në vendin tonë, ku pothuajse të gjitha këto raste janë të variantit Omicron, i cili po përhapet jashtëzakonisht shpejt.

Përmes një reagimi, Qeveria ka thënë se varianti i ri Omicron kërkon kërkon edhe përditësim të masave, me qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve.

“Kështu u tha edhe në mbledhjen e sotme të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19. Masat kanë për qëllim primar ruajtjen e shëndetit si dhe sigurimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, që të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar.

Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë për t’u vaksinuar sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese.  Respektimi i masave dhe vaksinimi do të na ndihmojë që të kalojmë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja”, thuhet në reagimin e tyre.

Qeveria bëri të ditur se nuk duhet të nënvlerësohet varianti Omicron, pasi sipas informatave nga vendet e tjera dëshmojnë qartë, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete.

“Si gjithmonë, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh, mbetet vaksinimi masiv. Prandaj vaksinohuni sa më shpejt dhe, në veçanti, merrni dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë”.

Go to TOP