Pse në veri nuk paguajnë për rrymë? Fejzullahu flet për një letër që e ndaloi shkyçjen

Me një letër të komandantit të KFOR-it në vitin 2009, Kosovës i është ndaluar që t’i shkyç nga rrjeti elektrik serbët në veri të vendit, ani pse ata nuk paguajnë kurrë për rrymën e shpenzuar. Këtë informacion e tha sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu.

I pyetur se pse pjesa veriore e vendit nuk është përfshirë në raportin ku ZRRE-ja shqyrtoi dhe propozoi shtrenjtimin e rrymës, Fejzullahu tha se për energjinë e papaguar elektrike në veri, ky institucion është paditur nga Avokati i Popullit dhe si pasojë e kësaj çështjeje gjyqësore, çmimin e rrymës së papaguar në katër komunat veriore e paguan Qeveria e KOSTT-i.

“Edhe ajo pjesë ka qenë e përfshirë në tarifat e energjisë elektrike deri në vitin 2018. Avokati i Popullit ka ngrit një ankesë dhe e ka paditë ZRRE-në për të cilën jemi në proces gjyqësor. Ajo kosto nga viti 2017, dhjetor të vitit 2017 është hequr apo nuk është barrë e konsumatorëve dhe ajo ka kaluar përmes buxhetit të Kosovës, pastaj është mbuluar nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja meqenëse ia ka ndaluar gjykata që ta përfshijë këtë kosto, ne nuk e kemi marrë parasysh as në kalkulimet e mëhershme meqenëse jemi në proces gjyqësor”, tha ai.

Fejzullahu tha se ky është problem politik, ndërsa tregoi se komandanti i KFOR-it në vitin 2009 kishte kërkuar që komunat veriore të mos shkyçen nga rrjeti energjetik.

“Sa për informimin e publikut, në 2009-ën kemi pasur edhe zyrtarisht letër nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it i cili ka kërkuar që këto katër komuna nuk guxon të shkyçen nga rrjeti energjetik, e për të cilën kanë qenë të informuar të gjithë, edhe kryeministri i atëhershëm, edhe presidenti, edhe kryetari i Policisë dhe të gjitha institucionet për shkak se ajo është zonë ku jetojnë komunitetet e ndryshme dhe rritet pasiguria”, tha ai.

Për konsumatorët që preket nga shtrenjtimi i propozuar i rrymës nga ZRRE-ja, kryesuesi i bordit tha se bashkëndien me ta.

“Unë kërkoj ndjesë nashta dhe bashëndjej me ata konsumatorë sepse nuk kanë alternativë tjetër. Nuk është ZRRE-ja e cila do t’i ofrojë alternativat për furnizim me energji elektrike. ZRRE-ja duhet t’ua reflektojë koston maksimalisht secilës kategori të konsumatorëve aq sa i kushton sistemit”, tha ai.

Go to TOP