Përballja Prishtina-Ballkani do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”

Klubi kryeqytetas, Prishtina ka njoftuar se ndeshje derbi ndaj Ballkanit është zhvendosur për t’u zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Prishtina është nikoqire e Ballkanit në ndeshjen derbi të javës së 20-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll.

Megjithatë, Prishtina as duelin ndaj Ballkanit, sikurse atë ndaj Drenicës në Kupën e Kosovës, nuk do ta zhvillojë në folenë e saj, në stadiumin “Fadil Vokrri”, për shkak të punimeve që janë duke u kryer në tapetin e gjelbër.

Kampioni aktual i Kosovës ka njoftuar me anë të një postimi në faqen zyrtare se tashmë kjo ndeshje do të zhvillohet në Podujevë.

“Sfida e xhiros së 20 në Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet FC Prishtinës dhe FC Ballkanit do të zhvillohet të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë”, thuhet në njoftim.

Prishtina para këtij dueli “stacionohet” në pozitën e pestë me 24 pikë të mbledhura, derisa Ballkani ndodhet në vendin e dytë, me 36 pikë.

Go to TOP