Opozita thotë se Qeveria është e papërgatitur dhe s’ka transparencë në dialog: S’do lejojmë ndonjë gabim që i kushton Kosovës

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç thonë ata mosqartësinë në procesin e dialogut. Partitë në opozitë, thonë se pala kosovare me idetë e saj nuk do të prodhojë marrëveshje përfundimtare e as njohje reciproke.

PDK, LDK e AAK, thonë se shefi i Qeverisë ka instaluar një praktikë të dëmshme dhe nuk ka qenë transparent në raport me kuvendin edhe për takimet që janë mbajtur.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria edhe në këtë proces është e papërgatitur dhe ka transparencë zero sa i përket dialogut.

“Gjatë mandatit të kësaj qeverie mendoj që kemi pasur mungesë të qartësisë sa i përket qasjes në dialog. Unë e kam të qartë që dinamika e procesit të dialogut nuk përcaktohet vetëm nga pala kosovare por edhe nga partner tanë ndërkombëtar. Ajo çka kërkohet nga Kosova është që të paraqitet gjithmonë në tryezë të dialogut me koncept të qartë se çfarë po dialogohet. Besoj që në dy tri vjetët e fundit në Kosovë është ndërtuar një konsensus s ai përket dialogut se dialogu zhvillohet vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe një listë e parimeve që duhet ti përmbahet ky proces”, ka thënë Hoti.

“Nuk diskutohet për integritetin territorial as për rendin kushtetues të vendit dhe këto parime në qeverisjen time kanë pasur mbështetjen edhe të miqve tanë ndërkombëtar. Gjatë kësaj qeverisje kam përshtypjen që ka dalë nga binarët procesi i dialogut me disa ide të propozuara nga pala kosovare që nuk janë pragmatike dhe nuk qojnë në marrëveshjen përfundimtare dhe nuk është duke u diskutuar fare dhe ka transparencë zero. Edhe në këtë fushë janë totalisht të papërgatitur”, shtoi Hoti .

Ndërsa deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri thotë se kryeministri Kurti ka instaluar një praktikë të dëmshme dhe nuk ka qenë transparent në raport me kuvendin edhe për takimet që ka mbajtur. Thotë se roli i kuvendit në dialog është zero.

Go to TOP