Kurti: Simpozium që i hapë rrugë diskursit akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij

Organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në partneritet me UN-Habitat Kosova, sot u mbajt Simpoziumi për të Ardhmen e Planifikimit Territorial në Kosovë.

Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti tha se qytetet që tani njerëzit duan, janë qytete aktive, të gjelbra dhe me ajër të pastër, gjithëpërfshirëse, të qasshme e me transport të integruar, me sistem publik shëndetësor e banim të përballueshëm, solidare e me mundësi të barabarta për secilin.

Kryeministri tha se ky simpozium është shumë i rëndësishëm për t’u hapur rrugë: zhvillimit të një diskursi më të thellë e akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij; angazhimin dhe ndërveprimin e profesionisteve të fushave të ndryshme, të shoqërisë civile, e të qytetarëve në një proces më gjithëpërfshirës të planifikimit, dhe; për t’iu bashkuar lëvizjeve për mbrojtjen e planetit tonë kundrejt sfidave globale që e  rrethojnë.

Forcimi i kapaciteteve institucionale në nivele të ndryshme për të arritur një sistem të planifikimit hapësinor të përshtatshëm për qëllimet e Kosovës, gjetja e zgjidhjeve inovative që mund të rrisin lidhjet rurale-urbane për planifikim më të ekuilibruar të territorit në nivelin kombëtar, janë disa nga temat që u trajtuan në simpozium. 

Për këto dhe tema të tjera që lidhen me të ardhmen e planifikimit të territorit në Kosovë folën ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, znj. Ulrika Richardson, Shefi i UN-Habitat në Kosovë, z. Omar Siddique, si dhe shume ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. /Kosova.info/

Go to TOP