Kosova

Kryesia e Kuvendit mbajti mbledhjen e radhës

Me një minutë heshtje në nderim të viktimave nga aksidenti i para disa ditëve në Kroaci, ka filluar mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryekuvendarit Glauk Konjufca dhe në prani të përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kryesia vendosi që Kuvendi të mblidhet të mërkurën në orën 14:00, për të vazhduar punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Paraprakisht, në orën 10:00, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë seancën plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. 

Të hënën, më 2 gusht, po ashtu, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, në të cilën, pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të debatohet lidhur me punën 100 ditore të qeverisë.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, si dhe të zgjidhen kryesuesi dhe dy anëtarë të ZRRE-së, si dhe tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi të rishpallë konkursin publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga radhët e komuniteteve joshqiptare, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /Kosova.info/