“Kjo është loja ime” – Granit Xhaka iu kundërpërgjigjet kritikëve për kartonët e shumtë që merr në fushë

Granit Xhaka është njëri nga futbollistët më të ndëshkuar të Arsenalit në vitit e fundit.

Mesfushori shqiptar shpesh herë ka marrë karton direkt të kuq, ndërsa rasti i fundit ishte në ndeshjen e Kupës ndaj Liverpoolit në Anfield.

Numri 34 i ‘Topçinjve’ u ndëshkua pasi në tentim për t’ia larguar topin shqelmoi portugezin Diogo Jota dhe u ndëshkua direkt me të kuq.

Kritikat në drejtim të Xhakës nga tifozët nuk kanë munguar, derisa prishtinasi ka vendosur që t’iu kundërpërgjigjet atyre në një prononcim për beIN Sports.

Për Xhakën kartoni i kuq ndaj Liverpoolit ishte i 12-ti në karrierën e tij profesionale, derisa ka thënë se kjo gjë është e punës së tij.

“Për mua nuk është e vështirë, sepse kjo është pjesë e punës sonë. Është e lehtë të flasësh kur gjërat shkojnë mirë”, tha fillimisht Xhaka.

“Sigurisht që askush nuk dëshiron të marrë një karton të kuq dhe të suspendohet, pasi nuk dua ta ndihmojë ekipin vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda fushës”, tha Xhaka.

Xhaka e pranon se duhet të jetë i kujdesshëm, por u thotë tifozëve se kjo është loja e tij.

“Nuk mund ta ndryshojë faktin që jam ndëshkuar, por unë po shikoj përpara dhe po përpiqem ta ndihmojë ekipin edhe jashtë fushës”.

“Nuk kam folur me Artetat për kartonin e kuq. Unë kurrë nuk e kam bërë këtë edhe për kartonët tjerë që jam ndëshkuar. Është diçka që duhet të jem i kujdessshëm vetë, por kjo është loja ime”, tha Xhaka.

“Jam një lloj njeriu dhe një lloj lojtari ku më pëlqen të rrezikoj. E di që ndonjëherë është gabim, por kur shkon mirë askush nuk flet për këtë, kur po shkon keq ose si ndodhi ndaj Liverpoolit, njerëzit fillojnë të flasin”, tha Xhaka. 

Go to TOP