12 mjekë specialistë braktisën punën në QKUK në vitin 2023

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe vazhdimi i ushtrimit të profesionit të tyre në vendet e Evropës ka qenë një ndër temat që më së shumti ka ngjallur debat në vend.

E, frika se institucionet shëndetësore mund të përballen me mungesë të mjekëve u shtua pasi në Kosovë hyri në fuqi liberalizimi i vizave. Sipas ekspertëve të ekonomisë, liberalizimi i vizave mund të prekë disa sektorë, ku në mesin e atyre që kërkojnë kushte me të mira të punës mund të jenë edhe mjekët.

Vetëm në vitin 2023, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë larguar 12 mjekë specialist, numër ky që konsiderohet të jetë i vogël nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës, thonë për Telegrafin se kërkesat për punësim janë shumë më të mëdha se sa ikja e mjekëve.

“Në 37 klinikat, shërbime dhe Institutet e QKUK-së, gjatë vitit 2023, janë vetëm 12 mjekë specialistë, që me vetëdëshirë kanë shkëputur marrëdhënien e punës, kurse kërkesa për punësim është shumëfish më e madhe, krahasuar me lëshimet e punës”, thuhet në përgjigjen e dhënë.

Më tej, Drejtoria e SHsKUK-së bën të ditur se nuk janë kompetentë për doktorët e mjekësisë dhe mjekët familjarë, por që tek QKUK është numër i vogël i mjekëve që kanë lënë punën me vetëdëshirë.

Për sistemin shëndetësor në vazhdimësi ka pasur ankesa nga qytetarët. Ankesat e tyre kryesisht lidhen me pritjet e gjata nëpër klinika, në rast të nevojës për ndonjë ndërhyrje kirurgjike.

Go to TOP