12 bursat e plota për vajzat në siguri kibernetike nga ICK
Innovation Centre Kosovo (ICK), nëpërmjet programit “DevelopHer” dhe në bashkëpunim me LuxDev, Agjencinë për Bashkëpunim Zhvillimor të Luksemburgut, ofron 12 bursa të plota për vajzat nga Kosova për programin 6-mujor të trajnimit profesional në Siguri Kibernetike. Afati i fundit për aplikim është 23 janar 2025.
Gjatë një interviste në programin e mëngjesit në RTK, Shpend Lila nga ICK shpjegoi më shumë rreth këtij programi dhe mundësive që ofron.
“Këto janë bursat e para që shpërndajmë në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë e Luksemburgut. Për dy vitet 2025-2026 do të ofrojmë gjithsej 120 bursa, dhe këto janë 12 bursat e para që po i shpërndajmë këtë vit. Thirrja është e hapur vetëm për vajzat që duan të futen në fushën e sigurisë kibernetike, një profesion që zakonisht përfaqësohet më shumë nga meshkujt. Ne kemi vendosur që të mbështesim vajzat që dëshirojnë të zhvillohen në këtë fushë,” tha Lila.
Kriteri bazë për aplikim është mosha 16 vjeç e lart, pa ndonjë kufizim tjetër. Po ashtu, Lila theksoi se, sipas ligjit të Kosovës, vajzat mund të bëhen praktikante që nga mosha 16 vjeç, dhe nëse ndonjë bursiste tregohet e suksesshme, mund të fillojë praktikën dhe punën me gjysmë orari në ndonjë kompani.
Bursat e “DevelopHer” janë pjesë e Programit “TechEco Pathways”, një iniciativë transformuese e financuar nga LuxDev, me qëllim të mbështetjes së inovacionit dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.
Afati për aplikim është deri më 23 janar 2025, dhe vajzat e interesuara mund të aplikojnë përmes platformës së ICK.
