10 mijë euro apo burg deri në 8 vite për përdorim të armëve në festa

Policia Rajonale e Ferizajt njofton se në kuadër të planit operativ “Sezona e verës 2024” kanë shtuar prezencën në ambiente të hapura, në sheshe, në afërsi të lokaleve të ndryshme ku mbahen organizime festive, dhe se kanë filluar shpërndarjen e disa fletëpalosjeve dhe posterëve me moton “Festo me zemër, jo me armë” me disa porosi.

Ndërsa, apelojnë tek qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë që përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shndërrohet në tragjedi, Është e ndaluar dhe sanksionohet me ligj gjuajtja me armë zjarri, përveç në vendet e caktuara dhe të licencuara për gjuajtje ( poligonet e gjuajtjes ). Përdorimi i armës gjatë festave përbën vepër penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.  Për këto vepra penale parashihet dënim me gjobë 10.000 euro, apo dënim me burg 1 deri 8 vite.

Policia Rajonale e Ferizajt është e fokusuar në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë rajonin e Ferizajt për sigurinë e secilit qytetarë, andaj ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë.

“Sa herë që kanë informacione për veprat që cenojnë sigurinë e qytetarëve, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë “ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Policia do të reagojë menjëherë”, thuhet në thirrjen e policisë. /Kosova.info/

Go to TOP