Zogaj: LDK nuk është parti e rrjeteve sociale, vendimet merren në Kuvend

Kryetari i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, Alban Zogaj, ka dalë në mbështetje të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku duke theksuar se proceset dhe vendimet brenda partisë duhet të zhvillohen në mënyrë institucionale dhe demokratike.

Në një reagim publik, Zogaj tha se LDK nuk është parti e rrjeteve sociale, por e institucioneve të saj duke nënvizuar se Abdixhiku e ka ofruar dorëheqjen në mënyrën më korrekte dhe më demokratike, pikërisht në Kuvendin e LDK-së, aty ku merren vendimet.

“Kjo është sjellje institucionale dhe e përgjegjshme”, theksoi Zogaj duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta imponuar largimin e kryetarit përmes presionit publik, fyerjeve apo fushatave të orkestruara përbën rrezik për LDK-në dhe për demokracinë e saj të brendshme.

Ai shtoi se partia ka nevojë për reflektim, analizë dhe unitet, e jo për linçim dhe përçarje duke ritheksuar se vendimet merren nga Kuvendi i LDK-së, ashtu siç i takon një partie serioze.

Reagimi i Zogajt vjen në një moment tensionesh të shtuara brenda LDK-së, ku debatet rreth përgjegjësisë politike dhe drejtimit të partisë janë intensifikuar pas zhvillimeve të fundit politike. /Kosova.info/


Go to TOP