Zogaj: LDK-ja si hëna, nuk zhduket – ideali rugovian do ta ringjallë
Shkrimtari dhe publicisti Skënder Zogaj ka reaguar me një qëndrim të fortë në mbrojtje të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke theksuar se LDK-ja “ende nuk është histori” dhe se ajo mbetet një forcë e pashlyeshme politike e kombëtare.
Sipas Zogajt, LDK-ja është “si hëna: bëhet drapër, por nuk zhduket”, pasi përtërihet dhe rikthehet sërish e plotë. Ai thekson se kjo parti përfaqëson identitetin shpirtëror dhe trashëgiminë gjenealogjike të shqiptarëve, e dalë nga tradita më e pastër e frymës etnike, që ka ruajtur shqiptarizmin nga zhdukja dhe ka sjellë çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Para se të ndodhë ndonjë apokalips, ideali rugovian do të qëndrojë si bërthama e pemës, pa të cilën nuk ka prosperitet”, shprehet Zogaj duke shtuar se koha dhe vetë nevoja do ta kthjellojnë LDK-në për të parë drejtimin e duhur dhe bashkëudhëtarët e saj politikë.
Ai vlerëson se hutia dhe “baronët” janë të përkohshëm, ndërsa LDK-ja do të ringjallet dhe do të mbërrijë aty ku e ka vendin e saj natyror, në epokën e Ibrahim Rugovës, si trashëgimtare e epokës së Skënderbeut. /Kosova.info/
