Zjarr në një spital në Kajro, humbin jetën tre persona, lëndohen 32 të tjerë

Ditën e sotme një zjarr ka përfshirë një spital në Kajro ku kanë humbur jetën tre persona dhe janë lënduar 32 të tjerë njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

“Zjarri filloi në departamentin e radiologjisë të një spitali bamirësie në distriktin Marariyya ,” në periferi veriore të kryeqytetit egjiptian, tha zëdhënësi i ministrisë Hossam Abdelgafar.

Shkaku i zjarrit nuk është zbardhur për momentin. Në Kajro, një metropol me disa milionë banorë, zjarret shpesh shkaktohen nga qarku i shkurtër.

Në një nga më vdekjeprurësit, verën e kaluar, 41 besimtarë humbën jetën në një kishë kopte kur një kondicioner mori flakë, duke bërë që ndërtesa të mbushej me tym. Të ngujuar në shkallët e ngushta, burra, gra dhe fëmijë u mbytën pasi makinat e zjarrfikësve vonuan të mbërrinin pasi nuk mund të kalonin lehtësisht nëpër rrugët e ngushta të rrethit.

Go to TOP