Zgjedhja e kryesuesit “hallakat” skenën politike të Malishevës

Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Malishevës, e ka “hallakatur” skenën politike të kësaj komune.

Gjashtë anëtarë të Kuvendit Komunal nga radhët e opozitës (3 nga LDK, 2 nga AAK dhe një nga Lista Guxo, që ishin pjesë e grupit të anëtarëve të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal) kanë votuar ngjashëm me partinë në pushtet, Nismën Socialdemokrate dhe kjo i ka acaruar raportet brenda këtyre partive, si dhe ato ndërpartiake.

Argjend Thaçi, anëtar i Kuvendit Komunal nga LDK-ja e ka propozuar veten për kryesues dhe e ka fituar këtë post, jo me mbështetjen e partisë së tij dhe opozitës, por me ato të partisë në pushtet, Nismës Socialdemokrate dhe të disa kolegëve opozitarw.

Në garë për postin e kryesuesit Argjend Thaçi i LDK-së e kishte anëtaren e partisë opozitare, nga PDK-ja, Mirlindë Gashi.

Procesi i votimit, ka shkuar në tri runde, pasi në dy rundet e para, asnjëri nga kandidatët nuk mori shumicën e nevojshme, ndërsa në rundin e tretë, kryesues u zgjodh i vetëkandiduari, Argjend Thaçi, i mbështetur nga partia në pushtet, Nisma Socialdemokrate.

Dega e LDK-së në Malishevë të martën ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën u shkarkuan nga të gjitha pozitat në LDK, kryesuesi i sapozgjedhur, Argjend Thaçi dhe anëtarët e KK-së Hamit Limaj dhe Driton Kastrati të cilët e kishin mbështetë me votë Thaçin. U tha se vetëm një anëtar i kryesisë ka votuar kundër përjashtimit.

Të përjashtuarit, sipas LDK-së kishin vepruar në kundërshtim me qëndrimin e degës së LDK-së që “në asnjë variant të mos hyhet në kombinim me Nismwn Socialdemokrate për zgjedhjen e kryesuesit”.

Dega e LDK-së në një komunikatë pas mbledhjes i ka akuzuar për interferim liderin e Nismës, Fatmir Limaj, ish-kryetarin e degës së LDK-së në Malishevë, Januz Kastrati, dhe ish-kreun e Forumit Rinor të LDK-së, Fatmir Ademaj, duke i quajtur “sekserë të politikës”.

Edhe ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Malishevës, Kastriot Berisha i ka akuzuar 2 anëtarët e Kuvendit Komunal nga kjo parti se kanë votuar në kundërshtim me qëndrimet e AAK-së me rastin e zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal.

“AAK-ja nuk e ka mbështetur kandidatin për kryesues, i cili i fitoi votat, asamblistët tanë e kanë mbështetë në kundërshtim me qëndrimin e partisë, për interesa të ngushta personale”, ka thënë Berisha, duke paralajmëruar masa ndaj 2 anëtarëve të Kuvendit nga AAK.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi ka thënë të mërkurën për KOHËN se ai nuk ka pasur asnjë marrëveshje paraprake me Nismën para se të kandidohej dhe zgjidhej kryesues i Kuvendit.

“Jo s’kam pasur marrëveshje, marrëveshjet i bëjnë partitë, por derisa LDK-ja s’ka bërë marrëveshje me Nismën, unë kam pas ambicie të jem kryesues, e kam kandiduar veten se ma lejon ligji, dhe i kam fituar votat”, ka thënë ai.

Thaçi e ka komentuar edhe vendimin për përjashtimin e tij nga kryesia e degës së LDK-së duke e quajtur të papranushëm.

“Është vendim emocional i disa individëve në kryesi, do të flasim këto ditë”, ka theksuar Thaçi. I pyetur se a vazhdon ta konsiderojë veten edhe më tej pjesw tw LDK-sw, ai ka thënë: “Pa asnjë diskutim që jam LDK dhe do të jem, dhe jam shumë komod, edhe ne 3 anëtarët që u tha se na përjashtuan, që jemi ndër më të votuarit për asamble, do të vazhdojmë kontributin për LDK-në në Kuvend dhe jashtë tij”, ka thënë Thaçi.

Edhe Hamit LImaj, njëri nga anëtarët e Kuvendit Komunal nga LDK-ja, i cili ka votuar në kundërshtim me qëndrimet e LDK-së, ka thënë se për këtë votim nuk ka pasur ndonjë marrëveshje me Nismën, por se ka votuar ashtu duke menduar se vota e tij shkon në interes të votuesve.

Ai ka mohuar akuzat se në votimin e tij mund të jetë ndikuar nga kushwriri i tij, lideri i Nismës, Fatmir Limaj.

“Nuk kam afërsi politike me Fatmir Limajn, po të kisha nuk do të isha fare në LDK e nuk do të kandidohesha fare nga kjo parti”, ka thënë ai.

Limaj nuk e ka komentuar përjashtimin nga LDK-ja që i ka bërë dega në Malishevë, por vetëm ka thënë se “koha do ta dëshmojë kontributin tim për LDK-në”.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se zgjedhja e anëtarit të LDK-së, Argjend Thaçi për kryesues të Kuvendit Komunal, ka ardhur si rezultat i vullnetit të lirë të anëtarëve të Kuvendit.

“Nuk kemi pas ndonjë marrëveshje paraprake për ndonjë koalicion, për ndarje postesh apo diçka tjetër, ka ardhur në shprehje vota e lirë e anëtarëve të Kuvendit dhe është zgjedhur kryesuesi që është zgjedhur”, ka thënë Kastrati.

KOHA ka kërkuar komente edhe nga dy prej 3 zyrtarwve që LDK-ja i ka akuzuar për “sekserë politikë” në rastin e sigurimit të votave për kryesuesin e KK-së.

Januz Kastrati, ish-kryetar i degës së LDK-së nuk është lëshuar në detaje të akuzave, por ka lënë të kuptohet se nuk është përzier në qëndrimet e askujt.

“Nga viti 2015 nuk jam në asnjë strukturë të LDK-së, jam anëtar i LDK-së dhe këtë e them me krenari”, është shprehur Kastrati.

Edhe Fatmir Ademaj, ish-kreu i FR të LDK-së ka mohuar interferimin.

“Nga viti 2019 për shkak të punës në ATK nuk jam marrë me politikë”, ka thënë ai.

Në lidhje me akuzat se është “sekser i politikës”, Ademaj është shprehur se “secili e tregon nivelin e tij edukativ dhe familjar”.

Objekti i Kuvendit Komunal të Malishevës.

Go to TOP