Xhudistët e Kosovës përfundojnë me sukses kampet stërvitore në Maribor dhe Celje
Ekipi i Kosovës në xhudo ka përmbyllur me sukses një program intensiv 10-ditor stërvitor në qytetet Maribor dhe Celje të Sllovenisë duke marrë pjesë në kampet ndërkombëtare që mblodhën dhjetëra sportistë nga mbarë rajoni dhe Evropa.
Nën udhëheqjen profesionale të Kryemjeshtrit Driton Kuka, si dhe trajnerëve të mirënjohur Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi, xhudistët tanë zhvilluan seanca të dendura stërvitore, të fokusuara në përgatitjen teknike, fizike dhe mentale për garat e radhës.
Gjatë kampeve, sportistët patën mundësinë të punojnë dhe të shkëmbejnë përvojë me ekipe nga Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Kroacia, Gjermania, Japonia e vende të tjera duke krijuar një ambient të pasur bashkëpunimi dhe rivaliteti sportiv. Ky bashkëveprim ndërkombëtar ndihmoi në ngritjen e nivelit të përgatitjes, forcimin e disiplinës dhe përmirësimin e detajeve teknike të secilit xhudist.
Stërvitjet në Maribor dhe Celje shihen si një hap tepër i rëndësishëm drejt ciklit të garave që po afrohet, ndërsa ekipi i Kosovës vlerësohet për profesionalizmin, disiplinën dhe angazhimin e vazhdueshëm për të ruajtur suksesin në arenën ndërkombëtare.
Federata e Xhudos së Kosovës ka bërë të ditur se ekipi do të vazhdojë me përgatitje të tjera intensive në javët në vijim, me qëllim që sportistët tanë të jenë në formën më të mirë të mundshme në garat e ardhshme ndërkombëtare. /Kosova.info/
