Washington DC e shpall si datë zyrtare 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington DC ka njoftuar se kryetarja e kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Muriel Bowser, ka shpallur zyrtarisht 17 shkurtin Ditën e Pavarësisë së Kosovës si datë zyrtare në Washington DC.
Në p vendimin e saj, Bowser thekson se ky vendim vjen si rezultat i përparimit të madh që Kosova ka shënuar që nga shpallja e pavarësisë më 2008, veçanërisht në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.
Ajo po ashtu vlerëson marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën qytetare dhe kulturore të Washington DC.
Ambasada e Kosovës ka reaguar përmes një postimi në platformën X, duke e falënderuar kryetaren Bowser për këtë njohje zyrtare.
“Faleminderit kryetarja Bowser që njohët zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Uashington, D.C.”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Vendimi i plotë:
DUKE PASUR PARASYSH se, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka bërë përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare; dhe
DUKE PASUR PARASYSH se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është unike dhe e qëndrueshme, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, partneritet të qëndrueshëm dhe respekt të ndërsjellë; dhe
DUKE PASUR PARASYSH se qytetarët shqiptaro-amerikanë japin kontribute të rëndësishme në pasurimin kulturor dhe jetën qytetare të Uashingtonit, DC; dhe
DUKE PASUR PARASYSH se ne i bashkohemi komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në përkujtimin e përvjetorit të 18-të të pavarësisë së Republikës së Kosovës;
TANI, PRANDAJ, UNË, KRYETARJA E BASHKISË SË UASHINGTONIT, DC, shpall 17 shkurtin 2026 si “DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS” në Uashington, DC. /Kosova.info/
Thank you @MayorBowser for officially recognizing February 17 as Kosova’s Independence Day in Washington, D.C. 🇽🇰🇺🇸 pic.twitter.com/EfsWGwTDn4
— Embassy of Kosovo US (@KosovoinUS) February 14, 2026
