Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari flet për periudhën kur të akuzuarit e kishin dërguar veturën për rregullim tek ai
Në Gjykatën Themelore të Pejës, të hënën, u mbajt seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan më 26 nëntor 2021. Në këtë seancë, dëshmitari Ndue Mehmeti dha detaje rreth përfshirjes së tij në rregullimin e një veture të akuzuarve, ndërsa dëshmitari Agim Dodaj sqaroi disa takime dhe veprime të tij me të pandehurit.
Dëshmia e Ndue Mehmetit
Ndue Mehmeti, i cili zotëron një garazh për ngjyrosjen e veturave në fshatin Brekoc, tha se rreth datave 20-21 nëntor 2021, i akuzuari Halil Mehmetaj dhe një nga djemtë e tij kishin sjellë një veturë “Toyota Jeep” për ta rregulluar. Mehmeti deklaroi se vetura ishte marrë rreth datave 1-4 dhjetor 2021. Ai konfirmoi se për këtë çështje kishte dhënë deklaratë në Polici dhe u kishte ofruar hetuesve mesazhet telefonike mes djalit të tij dhe njërit nga të akuzuarit.
Gjithashtu, Mehmeti kishte ofruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë së garazhit, por hetuesit kishin refuzuar t’i analizojnë. Mehmeti shtoi se vetura nuk ishte marrë ndërkohë nga të akuzuarit për ndonjë shërbim, duke pohuar se për këtë qëndron përgjegjës.
Dëshmia e Agim Dodajt
Dëshmitari tjetër, Agim Dodaj, tha se i akuzuari Halil është daja i tij. Ai përmendi disa herë që kishte dalë me Kreshnikun në bjeshkët e Shtedimit dhe konfirmoi se në një video-incizim, Kreshniku kishte përdorur armë. Sipas tij, armën e kishte marrë nga turistët, megjithëse në Polici kishte deklaruar se nuk e dinte pronësinë e saj.
Dodaj dha detaje për ditën kritike, duke thënë se fillimisht kishte qenë në shtëpi dhe më pas e kishte marrë Kreshnikun për të shkuar në një dyqan në Deçan rreth orës 14:00. Në një deklaratë të mëparshme, Dodaj kishte thënë se nuk e mbante mend me kë kishte shkuar në shtëpi, por tani pohoi se e kishte kthyer Kreshnikun aty.
Aktakuza dhe vijimi i gjykimit
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 5 maj 2023, Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj akuzohen se në bashkëveprim me njëri-tjetrin, nga hakmarrja, privuan nga jeta tre persona: shoferin e autobusit G.Gj dhe dy nxënësit L.H dhe G.M, të dy 17-vjeçarë. Krimi ndodhi në fshatin Gllogjan, në rrugën “Ismajl Haradinaj”.
Pasi nuk kishte dëshmitarë të tjerë të pranishëm, seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë në një datë tjetër të përcaktuar.
