Volejbolli bëhet pjesë e projektit “Sporti në Shkolla”
Sporti i volejbollit do të përfshihet në projektin shtetëror “Sport në Shkolla” i realizuar nga Federata e Sportit Shkollor në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka njoftuar Federata e Volejbollit e Kosovës.
Në vitin e dytë të implementimit të tij, projekti shtetëror “Sport në shkolla” i realizuar nga Federata e Sportit Shkollor, pritet të zgjerohet edhe me sportin e volejbollit.
“Ky projekt, që vjen në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, pritet që nga viti i ri shkollor, pas shahut dhe basketbollit, të përfshijë edhe volejbollin si pjesë e implementimit nëpër shkollat e gjitha rajoneve të Kosovës.
Pas takimeve intensive mes presidentit të FVK-së Bahri Gjinovci dhe sekretarit të përgjithshëm Valon Nikqi, me kryetarin e FSHSK-së Adrian Telaku dhe koordinatorët e projektit Dren Marseli dhe Arbisa Shefkiu, pritet që në fazën finale të përgatitjeve për implementim, të zbulohen detajet e mënyrës së realizimit të këtij projekti”, ka njoftuar FVK. “Përfshirja e volejbollit në projektin “Sport në shkolla” është një lajm i shkëlqyer për të rinjtë dhe të rejat, të cilët do të përfitojnë shumë përmes sportit të rrjetës”.