Vizita e Kryetares së Dhomave të Specializuara në Kosovë, Policia njofton për masa të veçanta sigurie dhe ndërprerje të përkohshme të trafikut

Nga data 12 deri më 14 maj 2025, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare, do të jetë e angazhuar në ofrimin e masave të sigurisë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohëzgjatjes së vizitës.

Për të siguruar lëvizjen e lirë dhe të sigurt sipas itinerarit të paraparë, si dhe zhvillimin pa pengesa të takimeve zyrtare të znj. Trendafilova, Policia e Kosovës njofton se do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor në disa segmente, në intervale të shkurtra kohore. Po ashtu, në këto raste, trafiku do të riorientohet në rrugë alternative.

Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për këto masa të përkohshme, duke theksuar se ato janë në funksion të sigurisë dhe mbarëvajtjes së vizitës zyrtare.

Kjo vizitë konsiderohet me rëndësi të veçantë dhe do të zhvillohet sipas agjendës së dakorduar me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP