“VisaMetric” e pranon vendimin e gjykatës, hiqet detyrimi për pagesën 30 euro

Kompania “VisaMetric”, ka pranuar sot vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku ndalohet që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.

Avokati përfaqësues i “VisaMetric”, Fisnik Salihu ka thënë se do ta respektojnë vendimin e gjykatës, dhe se më qytetarët nuk do të paguajnë këtë shumë për marrjen e pasaportës në shtëpi.

“Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të kompanisë Visametric Sh.P.K., (“Visametric”) ju njoftojmë se ne sot kemi pranuar Aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale lidhur me Aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale mbi caktimin e masës së sigurisë ndaj kompanisë Visametric. Duke qenë se Ankesa e Visametric, ndaj Aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë është refuzuar dhe Aktvendimin e kemi pranuar sot, Visametric do të respektojë Aktvendimin e Gjykatës”, tha ai në një deklarim për Telegrafin.

Ndryshe, Gjykata Komerciale e Kosovës ia ka ndaluar kompanisë “VisaMetric” që t’i detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Avokati, Flamur Abdullahu, i cili kishte paditur këtë kompani në Gjykatën Komerciale, ka thënë se vlera prej 30 euro për person përben disa miliona përfitime për kompaninë në kundërshtime me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Këtë punë e kam nisur personalisht si avokat, tu e pa që janë tu shkel të drejtat e konsumatorëve, tash presim edhe pjesën e dytë të gjykatës që është padia kolektive, që unë do ta përfaqësoj grupin e qytetarëve të dëmtuar”, u shpreh ai.

VisaMetric është i vetmi ofrues i shërbimeve i autorizuar nga përfaqësitë gjermane në Kosovë për të trajtuar shërbimet e mbështetjes për aplikimin për viza.

Go to TOP